Rregullimi i vështirë, ndalimi i lehtë. Shqipëria dhe rasti i skuterëve të ndaluar.

Në tetor 2025, qeveria shqiptare ndaloi përkohësisht qarkullimin e skuterëve elektrikë në rrugët publike, duke e justifikuar vendimin me shqetësime për sigurinë dhe rritjen e numrit të aksidenteve, edhe pse masa u perceptua nga shumëkush si një reagim i tepruar. [burim]
Ministria e Brendshme, e drejtuar nga Albana Koçiu, njoftoi se skuterët elektrikë do të pezulloheshin në të gjithë vendin “deri në miratimin e rregullave të reja” që do të përcaktojnë mënyrën dhe zonat e përdorimit të tyre. Autoritetet iu referuan një numri të lartë aksidentesh gjatë vitit 2024 si arsye kryesore për këtë vendim. 991 aksidente. [burim]
Qeveria theksoi se ndalimi është i përkohshëm dhe se rregullat e ardhshme pritet të përfshijnë kufij moshe, kërkesa sigurie si përdorimi i helmetës dhe ndriçimit, si edhe kufizime të mundshme të shpejtësisë. Megjithatë, këto rregullore ende nuk janë hartuar apo zbatuar. [burim]
Kritikët e kanë cilësuar ndalimin si të nxituar dhe autoritar, duke argumentuar se ai cenon të drejtën e lëvizjes dhe ndëshkon përdoruesit pa ofruar alternativa të menjëhershme apo standarde të qarta për të ardhmen. Disa ekspertë sugjerojnë se problemi real nuk janë vetë skuterët, por mungesa e parashikimit dhe planifikimit në trafikun dhe infrastrukturën urbane. Ndërkohë, shumë të rinj dhe një numër i konsiderueshëm drejtuesish automjetesh e kanë përshëndetur ndalimin, duke përmendur shtimin e aksidenteve dhe sjelljen shpesh të pakujdesshme të përdoruesve të skuterëve elektrikë. Në disa raste, drejtues skuterësh kanë dëmtuar automjete dhe janë larguar nga vendngjarja. [burim]

Skuterët elektrikë janë bërë gjithnjë e më të përhapur në të gjithë Evropën dhe bashkë me ta janë shtuar edhe shqetësimet për sigurinë. Por, në vend të ndalimit, shumica e vendeve evropiane kanë zgjedhur rregullimin e tyre:
Në Gjermani, skuterët elektrikë lejohen në rrugët publike nëse nuk kalojnë shpejtësinë 20 km/h, janë të siguruar dhe të pajisur me elementë sigurie të miratuar; drejtuesit duhet të jenë të paktën 14 vjeç. [burrimi]
Franca lejon përdorimin e skuterëve elektrikë nën rregulla teknike dhe sigurie, me kufij moshe dhe zona të përcaktuara qarkullimi. [burim]
Vende të tjera të BE-së vendosin kufij moshe, detyrim për helmetë dhe kufizime për zonat e përdorimit, por ndalojnë rrallëherë përdorimin e tyre në tërësi. [burim]
Në mbarë Evropën, politikëbërësit bien përgjithësisht dakord se skuterët elektrikë mund të jenë pjesë e transportit urban të qëndrueshëm, për sa kohë që rregullohen me masa të arsyeshme. Këto zakonisht përfshijnë:
• Kufij moshe (zakonisht 14–16 vjeç) [burim]
• Kufizime shpejtësie dhe zona të përcaktuara qarkullimi [burim]
• Kërkesa për pajisje sigurie [burim]
• Sigurim ose regjistrim në disa vende [burim]
Vendimi i Shqipërisë mund të ulë përkohësisht aksidentet me skuterë në rrugë, por njëkohësisht rrezikon ta shtyjë përdorimin e tyre në informalitet, jashtë vëmendjes së autoriteteve dhe pa mbikëqyrje sigurie. Shembujt evropianë tregojnë se përdorimi më i sigurt i skuterëve nuk kërkon zhdukje, por rregulla, zbatim dhe integrim.